Nga Pajtim Çaushi

1. Ashtu si bleta që jep mjaltë përvit, edhe njeriu i mirë mirësitë i bën vazhdimisht. Në mbarim të jetës secilës qënie njerëzore i është caktuar e njëjta pasuri, vetëm dy metër tokë.

Pavarësisht lakmisë e veseve të shtuar për mijëra e miliona monedha, në pasjetë asnjë cent nuk i duhet.

Njeriun pasardhësit s'e vlerësojnë për pasurinë, secilin e vlerësojnë për gjurmën që la pas. Dhe gjurma mund të jetë e pastër apo e pistë, e hidhur apo e ëmbël.

Haxhure Shorri la pas gjurmë të pastra njerëzore pasi ishte si bletë sakrifice dhe punëtore.

2. Portreti i një gruaje të fortë

Nanë Haxhureja në kujtesën time ka mbetur një portret pa cen. Me trup mesatar, të plotë e të rregullt. Pamja e bardhë e fytyrës që kishte, ishte pasqyrë një shpirtit të saj të bardhë e fisnik.

Serioze dhe hokatare, buzagaz dhe e qetë. E dashur dhe respektuese me të gjithë. Ndonjë fjalamani , femër apo mashkull, i tregonte cakun.

Me zëri e saj kumbues të bënte ta dëgjoje me dëshirë e respekt.

Humane e mikpritëse e rrallë. Që tutje në udhe të shihte, të ftonte në shtëpi për kafe e bisedë të çiltër. Zemra e saj kishte vend për çdo njeri të ndershëm. Një grua me shpirt të madh, zemër të butë e forcë të admirueshme karakteri.

3. Shënjime për segmentin e jetës

Lindi me 18 korrik të vitit1936. Ndërroi jetë më 15 tetor 2020.

Për pak ditë do të mbush gjashtë vjet e larguar nga jeta.

Prindërit: i ati Shefqet Mero, e ëma Shuqurane. Familje me rrënjë të forta në lagjen Bregu i Koçit, njerëz të nderuar e punëtorë.

U martua me Nazmi Shorrin nga fis i njohur në Konispol. Njeri i qetë, i punës me dashuri të dukshme njerëzore. I drejtë dhe i sinqertë.

Udhën e jetës e bënë së bashku, krah për krah në gëzime e vështirëse.

Lindën 11 fëmijë, nga të cilët tre u shuan të vegjël. Tetë jetuan dhe jetojnë. Pesë vajza: Rabija, Liljana, Fatbardha, .Dhurata e Drita. Tre djem: Asllani, Selmani dhe Baftjari.

4. Të sillesh si njeri, është më shumë se të jesh zengjin

Nanë Haxhureja e xha Nazmiu rritën fëmijë të virtytshëm. Të zgjuar, të qetë, të kulturuar. Të zotë për t'u shkolluar e të aftë për punët që kryejnë në jetë.

Koha i nxorri shumë vështirësi ekzistence kësaj gruaje kurajoze.

Por ajo gjeti kurajo t'i kapërcete duke mos u dorëzuar kurrë. Ka mësuar t’i fshehë lotët pas një buzëqeshjeje, ta mposhtë lodhjen me durim dhe ta kthejë dhimbjen në forcë për të qëndruar.


Natyrisht, si shumica e familjeve në Konispol, edhe familja e saj bënte jetë me mungesa ekonomike. Ndonëse në kushte të vështira, Nanë Haxhureja për edukimin e fëmijëve përsëriste me ngulm të njëjtin mësim.

Të sillesh si njeri, është më shumë se të jesh zengjin, u thoshte në shtëpi.

Për vesin e grabitjes së gjësë së tjetrit ishte e rreptë e nuk toleronte.

S'e dua gjënë e tjetrit brenda në shtëpinë time, u thoshte prerë fëmijëve.

E gatshme të sakrifikonte gjithçka nga vetja vetëm atyre të mos u mungonte asgjë. Gjithë jetën kujdesi nisi tek fëmijët dhe përfundoi po tek ata.

5. Sado i fortë të jetë një mater (tra) s'e mban dot vetëm çatinë

Punoi kryesisht në bujqesi. Shumë vite ua kushtoi mirërritjes së fëmijëve. Të shumtën e të ardhurave për mbajtjen e familjes i nxirrte xha Nazmiu. Edhe ai bënte punë bujqësie.

Dy familjet tona kishin marrëdhënie shumë të mira dhe vajtje ardhje për çdo rast. Xha Nazmiu nënën time Fetanetes i fliste motër. Në të vërtetë qenë kushërinj. Edhe ne me mangësi ekonomike e mbyllnim muajin.

Më kujtohen në një rast fjalët e Nanë Haxhresë. Kishte ardhur për kafe me Nanë Feten. Pasi qanë hallet e përditshme, ajo psherëtiu:

- Ah moj motër, sado i fortë të jetë një mater s'e mban dot i vetëm çatinë!...

Kishte të drejtë, vetëm me një krah pune në kooperativë, vështirë të përballohej jetesa.

Kjo ishte arsyeja që dy fëmijët e parë, Rabija dhe Asllani, dolën në punë menjëherë pasi mbaruan shkollën e Konispolit. Ndonëse në moshë të re, ata ndihmuan për rritjen e mirëqënies në familje.

Nanë Haxhureja edhe për më të vegjlit u kujdes që t'u gjente punë për ndihmë familjes. Krahas mësimit, mblidhnin lule kamomili e lule mollage për të shtuar disi të ardhurat e nevojshme.

Të gjithë fëmijët i shkolluan me arsim të mesëm. Të lartën e vazhduan vetëm Liljana dhe Drita. E para ku doli në punë si infermiere, ndërsa e dyta pasi u martua.

6. Kujtime nga e bija, Liljana

Nëna ime ka qënë heroinë, jo nënë e zakonshme. Kujdesi dhe edukata e saj na bëri të jemi ata që jemi sot.

Ishte ajo që u dha fëmijëve edukatën për të mos lakmuar gjënë e tjetrit.

Qe mesimi i saj kur ishim ende fëmijë, për të qënë njerëz të punës e të papërtuar.

- Ajo që do të fshijë shtëpinë, nuk flë mbi fshesë, na nxiste vazhdimisht.

Ishte ajo që na mësoi të falnim njeriun edhe kur ai gabon, të mos e ofendonim po ta bënim që ta kuptonte gabimin.

Bënte shumë për të tjerët, por edhe nuk ua përtonte për t'u dhënë këshillën e saj të urtë. Kur dikush në lagje a në Shelq grindej, ajo u fliste:

Dëgjoni moj gra, mos u zini se dy metër dhé do marrim pas.


Kur ne fëmijët u martuam, ndodhte të vononim për t'i shkuar në kohë. Atë e merrte malli dhe vinte vetë duke i zënë me radhë.

- Le të jesh me burrë e shtëpi, për mua mbetej fëmijë, na kujtonte.

Flinte nga një natë ose dy dhe mendjen e kishte në shpinë e saj, tek Baftjari.

Vuajti dhjetë vite me babain të cilit i iku shikimi në vitet e fundit të jetës.Ata ishin me fat që asnjeri nga fëmijët s'u solli shqetësime.

Të dyve, babait dhe nënës, shërbimet mjekësore shkoja dhe ua bëja vetë ose vinin ata tek unë. Mamase i shërbeja përdite për t'i bërë sorumet e gjithçka tjetër. Kështu derisa mbylli sytë e na la, për të mbetur e për e gjallë në zemrat tona...

7. Në jetë s'kërkoi shpërblime e dekorata

Nanë Haxhureja ishte një grua që në jetë nuk kërkoi shpërblime e dekorata, lavdërime e duartrokitje për përpjekjet e sakrificat e saj.

Ajo gjithë kohës donte vetëm t’i shihte familjarët të gëzuar, të plotësuar, të ndershëm dhe të sinqertë.

Ndoshta shumëkush nuk ia shikoi apo ndieu plagët e psherëtimat e shpirtit, por pikërisht ato dëshmojnë madhështinë e sakrificës e dashurisë së saj njerëzore.

10 tetor 2026