“Tuman kuqe, moj belhollë…”

Kush e di sa mot kanë këto fjalë… e kush qe ajo bilë çame që ia dogji xhanë një djali.

Thonë se qe e bukur fort. Tumanet të kuqe, mesi i hollë, syri i zi. Djali e kishte zënë sevdanë dhe çdo aksham gjente një sebep të kalonte pranë shtëpisë së saj. Veç ta shihte.


— Hajde, bilë, brënda! — e thirri nana.

Bila hyri, po pas një çike u duk përsëri në penxhere.

Djali qe ende aty.

U panë. Bila uli sytë, qeshi nën buzë e i bëri me dorë.

Dhe ai ia mori:

— Tuman kuqe, moj belhollë…

E dëgjoi njëri, e këndoi tjetri… dhe kënga mori dhenë nëpër Çamëri.

Pastaj erdhën mote të liga. Çamët lanë shtëpitë, arat, ullinjtë e varret e të parëve dhe morën udhët.

Po këngën e muar me vete.

Ndaj “Tuman kuqe” s’është veç sevda e një djali për një bilë.

Është Çamëria që këndon mallin e saj.